Ambasadori Hill: Dje ishte ditë e gjatë në Bruksel

Ambasadori i SHBA’ve në Serbi, Christopher Hill, ka folur për herë të parë pas përfundimit të takimit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se shumë njerëz kanë mbetur të zhgënjyer që nuk ka pasur përparim në ditën e djeshme.

Hill, në një deklarim për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, ka thënë se ka pasur shumë takime dhe diskutime mes palëve të enjten në Bruksel.

“Ishte një ditë shumë e gjatë në Bruksel dje. Ka pasur shumë diskutime, takime, negociata. Natyrisht, të gjithë janë të zhgënjyer që nuk mundëm t’i zgjidhnim çështjet afatshkurtra dhe afatgjata, por mendoj se ato bisedime rezultuan në një zhvillim pozitiv”, tha Hill në një video-mesazh.

Duhet theksuar se, për takimin e mbajtur dje ka reaguar edhe zëdhënësi i Departamenti të Shtetit të Amerikës, Ned Price. Ai ka thënë në konferencën e përditshme për shtyp se Uashingtoni po e ndjek me vëmendje dhe përparësi situatën.

Ndërsa, ende nuk ka reaguar ambasadori i ShBA’së në Kosovë, Jeff Hovenier.