Analistët e shohin të mundshëm koalicionin LDK – AAK – NISMA

Lidhja Demokratike e Kosovës e Vetëvendosje nuk po arrijnë të gjejnë mesin e artë për të arritur një marrëveshje që të formohen institucionet.

Mbrëmë lideri i LDK-së Isa Mustafa deklaroi se partia e tij mbetet tek kërkesat e saj, e publikuara dje dhe të debatuara tashmë gjerë e gjatë, thelbi i së cilës ishte: Kryeparlamentari për LDK-në deri në zgjidhjen e Presidentit. E që kjo gjë për LVV-në është e pa pranueshme.

Sipas analistit politik Nexhmedin Spahiu, nëse këto dy parti nuk arrijnë të merren vesh ekziston mundësia tjetër, përveç shkuarjes në zgjedhje.

Spahiu në një prononcim për Periskopin tha se opsioni tjetër është LDK-AAK-NISMA.

Ai ka bërë një krahasim me vitin 2014, që sipas Spahiut nga ai ngërç politik kishte përfituar Isa Mustafa.

Sipas analistit Spahiu, dy gjëra janë tani ” o të bëhet President Mustafa me Albin Kurtin o të bëhet kryeministër me Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn”, ka thënë ai për Periskopin.

“Nga ngërçi i vitit 2014 humbi Kosova por përfitoi Isa Mustafa se u bë kryeministër. Tani shkaktar i ngërçit aktual është prapë Isa Mustafa. Ai po synon o të bëhet President me Albin Kurtin o të bëhet kryeministër me Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn dhe të mundësojë që Hashim Thaçi të rizgjidhet President”, ka thënë Spahiu.

Kujtojmë se gjasat për dështimin e koalicionit në mes të LVV-së e LDK-së janë të mëdha. Kjo pas deklarimeve publike të zyrtarëve të të dyja partive se nuk do të lëshojnë pe në kërkesat përkatëse. Megjithatë tri opsione mbesin për vendin: Lidhja e koalicionit LVV-LDK ose ai LDK-AAK-Nisma ose shkuarja në zgjedhje.