Analisti politik: Dështimi i marrëveshjes VV – LDK aspak befasi

Imer Mushkolaj, analist politik, ka thënë se mosarritja e marrëveshjes për koalicion mes VV’së dhe LDK’së, nuk është aspak befasi e përgjegjës për këtë dështim janë të dyja palët.

Kjo pasi, siç thotë Mushkolaj në Interaktiv të televizionit KTV, ka qenë e pritshme që kur në negociata për bashkëqeverisje ky hyrë edhe posti i presidentit.

“Për mua nuk është befasi, sepse s’ka qenë befasi që nga momenti kur është futur posti i presidentit në këto negociata. I kujtojmë deklaratat e Kurtit dhe të LDK’së se do të krijohet shpejtë qeveria, por kur Mustafa vendosi ta vë në tavolinën e negociatave edhe postin e presidentit, gjërat e komplikuan”, tha Mushkolaj.

Tutje, ai tha se publikimi i detajeve të takimeve të mbyllura për media nga ana e kreut të VV’së, Albin Kurti, nuk është në rregull dhe se një marrëveshje e tillë duhet respektuar nga të dyja palët.

“Rregullat që mund të vendosen brenda partive politike për negociata duhen respektuar, që të mos hidhen në publik detajet, por sot Kurti e bëri këtë në kuadër të transparencës për të treguar për votuesit e vet se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe”, deklaroi analisti Mushkolaj.

Ai thotë se dështimi u takon të dyja partive pasi LDK’ja vazhdimisht ka thënë se dallimi me VV’në në vota është shumë i vogël.

“Situatën e sotme e shoh si dështim të dy partive politike sepse i kanë pasur 80 ditë në dispozicion, dhe, edhe pse thoshin se janë të gatshëm, sot u tha se koalicioni deri më tani ka dështuar. Është një fije shprese që të bëhet diçka deri në seancën e nesërme. Përgjegjësinë dhe fajin duhet ta mbajnë të dyja pikërisht pse LDK-ja ka thënë vazhdimisht se dallimi me partinë e parë është shumë i vogël, prandaj përgjegjësia duhet të jetë edhe e saj. Nëse LDK kërkon që të ketë gjysmën e pushtetit dhe presidentin, atëherë si mund të jetë përgjegjësia e vetëm një partie? Po të donte LDK-ja të lahej nga përgjegjësia, do të duhej të mos e fuste postin e presidentit në këtë marrëveshje”, u shpreh ai.

Mushkolaj thotë se edhe në negociatat VV-LDK ka pazare, por tha se është i prirë t’u besojë deklaratave publike të politikanëve.

“E kemi premtimin publik të Vjosa Osmanit që ka thënë se posti i presidentit s’duhet të hyjë në negociatat për bashkëqeverisje. Edhe Mustafa ka thënë se posti i Presidentit nuk do të jetë pengesë për bashkëqeverisje, por pikërisht ky post po del të jetë pengesa e bashkëqeverisjes”, deklaroi Mushkolaj.

“Ende ka hapësirë për marrëveshje. Pamë që tek pjesa për presidentin, Kurti thotë se së pari duhet të kërkohet një kandidat koncensual, por nëse këtë se gjejnë, atëherë LDK’ja ta propozojë një kandidat të vetin, por ta marrë miratimin e VV’së. Kjo ofertë është e pranueshme sepse asnjëra nga këto dy parti, për aq sa dihet, nuk i kanë nga 30 deputetë. Për të propozuar presidentin, grupi parlamentar duhet të ketë së paku 30 deputetë. Aktualisht, ky është një diskutim në ajër, sepse as VV e as LDK s’i kanë nga 30 deputetë. Këto dy parti duhet të gjejnë një kandidat që duhet ta ketë edhe përkrahjen e opozitës, e të mos shkohet siç ka shkuar deri më tani. LDK-ja në dy raste kur ka dalë në vendin e dytë, asnjëherë s’i ka pasur dy postet kryesore në udhëheqje. Kjo është hera e parë që LDK’ja, si parti e dytë, i kërkon dy postet kryesore. Kjo, unë besoj, po bëhet për akomodim të interesave personale. Se si i ka bërë hesapet LDK’ja, më së miri e di Mustafa dhe të tjerët rreth tij”, tha ai.

Mirëpo, Mushkolaj shtoi se është mirë që në negociatat për bashkëqeverisje të futet edhe posti i presidentit pasi ai do të ‘lirohet’ gjatë mandatit të kësaj qeverie potenciale.

“Nuk është mirë që VV’ja dhe LDKja të arrijnë marrëveshje koalicioni pa e pasur një ide se çfarë do të ndodhë edhe me postin e Presidentit. VV asnjëherë s’ka thënë se nuk po ia japim postin e presidentit LDK’së se po e duan për vete”, tha ai