Analisti politik: Kaosi i krijuar me Ligjin e Pagave po del të ketë prapavijë politike

Kaosi i krijuar me Ligjin e Pagave po del të ketë prapavijë politike. Kështu vlerësojnë analistët në vend, të cilët theksojnë se persona të caktuar politikë janë duke i përdorur sindikalistët e arsimit dhe ata të shëndetësisë për të krijuar probleme, të cilat mund ta sfidojnë krijimin e qeverisë së re, shkruan gazeta “Zëri”.

Analisti politik Armend Muja në një prononcim për “Zërin” është shprehur se padrejtësisht dhe panevojshëm është duke u krijuar një situatë e pakëndshme me potencial të problemit shoqëror. Sipas tij, dërgimi i Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Avokatit të Popullit pa e shfrytëzuar hapësirën kohore prej 6 muajve për shqyrtim dhe pa i dhënë mundësi për shqyrtim edhe qeverisë së ardhshme, lë hapësirë për të dyshuar në motivet e këtyre personave.

“Avokati i Popullit, që ndonëse ka pasur kohë 6 muaj, Ligjin për Paga e ka dërguar me procedurë të shpejtuar në Gjykatë. Kjo lë hapësirë për të dyshuar mbi motivet që kanë pasur personat e caktuar në të gjithë këtë situatë”, ka thënë ai.

Muja tha se nëse veprimet e Avokatit të Popullit kanë qenë të sinqerta, atëherë është dashur të pritet deri në formimin e qeverisë së re dhe t’i jepet asaj hapësirë për ndryshime ose për plotësime në këtë ligj dhe pastaj nëse do të kishte ankesa të drejtohej në Gjykatën Kushtetuese. Ai theksoi se me këtë kaos persona të caktuar duan të krijojnë perceptime negative te publiku për qeverinë e re dhe për kapacitetet e saj për të gjetur zgjidhje në situata të tilla.

“Kam bindjen se duke i parë tash e dy muaj që po vazhdojnë diskutimet për një qeverisje të re, persona të caktuar dëshirojnë të bëjnë njëfarë pezmatimi për të krijuar një opinion të pafuqisë dhe të pazotësisë së qeverisjes së ardhshme për t’u marrë me këto probleme shoqërore. Në njëfarë mënyrë po duket sikur jemi para aktit të kryer ende pa e provuar qeverisjen e re”, ka deklaruar Muja.