Anëtari i LDK-së: Kurti është i interesuar që dialogu me Serbinë të përcjellët me kriza

Anëtari i depertamentit për politikë të jashtme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Berisha, thotë se kryeministri Albin Kurti është i interesuar që dialogu me Serbinë të përcjellët me kriza. Ai kritikon shefin e ekzekutivit se ka rënë në kurthin e Serbisë për të diskutuar për tema teknike dhe anashkaluar marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha, thotë për KosovaPress, se kryeministri Kurti tregoi joseriozitet dhe jomaturi edhe me dy vendimet për reciprocitet në dokumentet e udhëtimit për qytetarët serbë dhe për targat ilegale.

“Në vend që të vazhdojë dialogun me platformën e ish qeverisë Hoti dhe koordinatorit të atëhershëm zotëri Hyseni, që dialogu të fokusohet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe çështje teknike. Kurti ka rënë në kurth në qasjen e Serbisë që diskutohet për tema të caktuara, normalizimi përmes zbatimit të marrëveshjeve. Kjo ka dhënë kriza të vazhdueshme dhe si duket edhe vet Kurti është i interesuar që dialogu të përcillet me kriza. Sa i përket Serbisë, asaj i konvenon status-quo dhe do të tentojë të shtyjë më gjatë duke krijuar situata që dinë të krijojë një ish ministër i Millosheviqit”, thotë ai.

Ai thotë se rrëshqitja në tema teknike, të cilat sipas tij, janë të pafundme e zgjasin status-quo-në e procesit të dialogut.

“Këto tema janë largim prej temës së kryesore dhe janë humbje kohe. Kosova nuk e ka problemin targat, por problemi kryesor është mos integrimi dhe mos njohja nga 5-shja evropiane dhe qëllimi për tu integruar në NATO. Kosova këtu duhet të fokusohet se marrëveshja gjithëpërfshirëse të jetë serioze në kërkesën e saj, në mënyrë nëse Serbia tregohet palë destruktive, atëherë pesëshja evropiane mos të ketë më argumente që të mos njoh Kosovën. Ndërsa rrëshqitja në tema teknike janë tema të pafundme që e zgjasin status-qou”, thotë ai.

Berisha kërkon nga kreu qeveritar që të ofroi një zgjidhje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sidomos pas nënvizimit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se i njëjti nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni është paraparë vetëm në kuadër të kushtetutës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese ka bërë korrigjimet e duhura dhe përsëriti diplomati Escobar se s’ka shtet në shtet, por ka një Asociacion që është brenda Kushtetutës së Kosovës”, deklaron ai.

Berisha i cila ka qenë edhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, adreson akuza ndaj ekzekutivit për degradim të politikës së jashtme.

“Fatkeqësisht nuk ka politikë të jashtme. Ka një administrim të brendshëm të keq, me ndryshimin e rregulloreve që janë aprovuar në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Pozicionimi i aktivistëve të LVV-së në pozicione, shkarkime, e gjithë politika e jashtme është shndërruar në aktivitete të brendshme. Ministrja e ka reduktuar në Ministri të diasporës dhe defakto ministrja e Jashtme nuk funksion, pasi vet ministrja është jo kompetente, papërgjegjshme dhe papjekur për atë detyrë”, përfundon Berisha.