Shtesat e Qeverisë për sektorin publik/ Reagon ashpër Jusuf Azemi: Marre e trishtim, ku mbeti sektori privat

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot nga 50 euro shtesë për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Ata që nuk do të përfitojnë nga shtesat e ndara nga ekzekutivi janë punëtorët e sektorit privat.

Pas vendimit të Qeverisë ka reaguar kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Sipas Azemit, punëtorët e këtij sektori po shantazhohen nga pushteti.

Ai thotë për Front Online se favorizimi i sektorit publik kundrejt sektorit privat është një “marri” e Qeverisë ‘Kurti’.

“Është një vendim që nuk di se si të shantazhohen ndryshe punëtorët e sektorit privat përderisa jemi ne mbushësit më të mëdhenj të buxhetit të Qeverisë së Kosovës, me pagat dhe kontributet tona, por marrja nuk po e mbytka askënd. Kjo është marria e Qeverisë Kurti që nuk din se çfarë është duke bërë. Ky veprim është marre e trishtim kur favorizohen punëtorët e sektorit publik në raport me sektorin privat”, tha Azemi për Front Online.

Kreu i Sektorit Privat ka thënë se Qeveria nuk po i përmirëson gabimet e veta.

Sipas tij, punëtorët me pagën më të lartë po favorizohen nga pushteti.

“Ne kemi menduar se këtë gabim do ta përmirësojë por prap po bëhet i njëjti gabim dhe jemi mbetur pa koment një gjë të tillë një person që dijë të logjikojë nuk e bënë, por ky është realiteti jonë. Kemi punëtorë që paguhen me 170 euro dhe nuk stimulohet me 50 euro, stimulohen ata punëtorë që marrinë pagë mbi 500 euro”, u shpreh Azemi për Front Online.

Ndryshe, Sindikata e punonjësve të sektorit privat, vazhdimisht ka kërkuar rrite të pagave për këtë sektor, me vendim për rritje të pagës minimale nga Qeveria, pasi sipas tyre këta punonjës janë të rrezikuar për mbijetesë.

Kërkesa e tyre është rritja e pagës minimale në 250 euro me ligj.