Anulohet protesta në Gjilan kundër Trëndafilovës, Molliqaj: Qëllimi u arrit, plani i propagandës nuk kaloi

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se nesër nuk do të mbahet protesta kundër ardhjes së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, pasi ajo ka anuluar aktivitetet e saj me shoqërinë civile të parapara të mbahen në Gjilan.

“Qëllimi u arrit, plani i propagandës nuk kaloi. Anulimi i takimit të mbyllur të znj Trendafilova për herë të dytë e ka konfirmuar një fakt të rëndësishëm për këtë gjykatë: Gjykata Speciale është politike që tenton të menaxhojë opinionin publik dhe të normalizojë imazhin e saj aty.”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij kjo gjykatë është e padrejtë dhe skandaloze dhe se takimet e mbyllura, në qetësi e të qeta shërbejnë për të normalizuar e tjetërsuar pikërisht këtë fakt mbi këtë gjykatë. Prandaj, karshi jehonës së zërit të qytetarëve të organizuar e revoltuar, këta zgjedhin strukjen.

“Për shkak të anulimit të takimit të znj. Trendafilova në Kosovë, anulohet dhe protesta e organizuar për shkak të këtij takimi. Falënderojmë secilin qytetarë që ndihmoi në organizimin e secilën grua e secilin burrë që ishte i gatshëm të dilte në protestë e të shpërfaqte pakënaqësinë aty.”, ka theksuar Molliqaj.