Anulohet vendimi i ministrit Sveçla, rikthehet në punë Fadil Kodra

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim të hënën që ta pranojë ankesën e Fadil Kodrës dhe ta kthejë atë në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.

Këtë e ka konfirmuar avokati i Kodrës, Faton Fetahu. Ai ka thënë se “është anuluar vendimi kontestues i Ministrisë së Brendshme”, raporton Paparaci.

Për detaje të tjera ligjore, Fetahu ka thënë se do të njoftojë orëve në vijim.

Më 14 korrik, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte marrë vendim për lirim nga detyra të Kodrës, i cili ishte u.d. i drejtorit të AME-së.

Ministria e Brendshme ka të drejtë ta apelojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në korrik të këtij viti Fadil Kodra, vëllai i heroit Ilaz Kodra, ishte shkarkuar nga pozita drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”.

Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.

Sipas përshkrimit zyrtar, misioni i AME-së është mbështetja e qytetarëve për tu përgatitur, mbrojtur dhe reaguar nga të gjitha rreziqet e mundshme, kryesisht ato natyrore.

Fadil Kodra, është familjari i Ilaz Kodrës, Komandantit të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht gjatë luftën për çlirimin e Kosovës më 30 prill, 1999.