Apeli vërteton vendimin e Themelores për sulmuesit e Valon Sylës

Gjykata e Apelit, përmes aktvendimit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve L.D., K.H dhe O.H., të cilët dyshohen për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2023, ua ka caktuar masën e paraburgimit tre të pandehurve L.D, K.H dhe O.H , raporton “Betimi për Drejtësi”

Në njoftimin e Apelit, thuhet se të pandehurve të lartpërmendur, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, u është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, masë kjo e nevojshme ndaj tyre.

Sipas Apelit, ankesat e mbrojtësve kundër aktvendimit të Themelores janë refuzuar si të pabazuara, pasi që është vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe se janë marrë saktë të gjitha rrethanat parasysh me rastin e caktimit të masës së paraburgimit për të lartpërmendurit.

“Gjykata e Apelit, me aktvendimin PN.1.S.nr.69/2023, të datës 28.04.2023, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve L.D., av. Sh. A., K.H., av. R.K. dhe O.H., av. Rr. A., të parashtruara ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale PPPS.nr.19/23 të datës 14.04.2023 dhe të njëjtin aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe se pretendimet ankimore të mbrojtësve të të pandehurve janë të pabazuara.”, thuhet në njoftimit e Apelit.

Kjo gjykatë ka vlerësuar se lënia e të pandehurve në liri, mund të pengojë zhvillimin e hetimeve, rrjedhën e procedurës penale dhe rrezikun e ndikimi të të pandehurve në deklaratat e dëshmitarëve.

“Më tej kolegji ka vlerësuar se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit edhe konform dispozitës së nenit 184 par.1 nënpar.1.1 e 1.2 pika 1.2.2 të KPP-së, sepse me gjetjen e të pandehurve në liri, do të mund të pengohej rrjedha e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale duke ndikuar edhe në dëshmitarët, ku kjo gjykate, ka vërejtur se nga kërkesa rezulton identiteti i dëshmitareve I. M. dhe A. H., ndërsa nga provat që janë siguruar tregojnë çartë se gjatë zhvillimit të hetimeve duhet të merren në pyetje disa dëshmitarë identiteti i të cilëve do të sigurohet gjatë zhvillimit të hetimeve”, thuhet tutje.

Kjo ngase, Apeli ka konsideruar se dëshmitë e dëshmitareve do ta ndriçojnë tërë ngjarjen e zhvilluar në natën kritike, sjelljet dhe veprimet e secilit të pandehur veç e veç, largimi i tyre nga vendi i ngjarjes pas sulmit fizik ndaj të dëmtuarit-gazetarit Valon Syla.

“Prandaj ekziston rreziku që të pandehurit po të gjenden në liri do të pengojnë në rrjedhën normale të procedurës penale që zhvillohet ndaj tyre. Tutje kolegji i gjykatës së shkallës së dytë ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur të pandehurve, iu ka caktuar masën e paraburgimit, ngase masat e tjera të parapara nga neni 171 i KPPRK-së, janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë, në rrjedhjen normale të procedurës penale dhe në parandalimin e kryerjes së veprës tjetër penale, andaj me qëllim të zbatimit me sukses të procedurës penale, caktimi i paraburgimit konsiderohet si i domosdoshëm, kurse ankesat e mbrojtësve të pandehurve u refuzuan si të pabazuara”, njofton Apeli.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre të pandehurit, e cila do të llogaritet prej 12 prillit 2023, deri më 12 maj 2023.

Tre të dyshuarit u arrestuan më 12 prill, ndërsa Prokuroria Speciale më pas njoftoi se të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H., dhe se të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte reaguar duke thënë se sulmet ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes, shkelin parimet thelbësore demokratike.

Lidhur me këtë rast, kishte reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi nga institucionet që rastin ta trajtojnë me seriozitet. Njëjtë kërkoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se dhuna fizike ndaj gazetarëve po shndërrohet në një dukuri dhe se kësaj dhune po i paraprinë fillimisht një linçim publik medial. KMDLNj e ka cilësuar sulmin ndaj Sylës si sulm ndaj lirisë së shprehjes.

Kurse, në raportin 24 orësh të Policisë, u tha se rasti kishte ndodhur më 11 prill rreth orës 22:29, në rrugën “Ilir Durmishi” në Prishtinë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar hetime urgjente.

Pas sulmit, gazetari Syla, përmes një postimi në Facebook, kishte thënë se është mirë dhe tregoi se cili mendon të jetë shkaku i sulmit.

“Sulmi me çdo gjase ka të bëjë me reagimet e mia rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK, qe duket se nuk ju ka pelqyer fare dhe keshtu ka nxitur ketë komunitet te militanteve islamik të organizojne sulm fizik të paramenduar”, ka shkruar ndër të tjera ai.