Arbana flet për largimin nga “BBVA 3”

Arbana, e ftuar në podkastin e Mira Kazhanit, ka folur për shumë tema në jetën e saj, duke mos harruar edhe faktin që këtë edicion të “Big Brother VIP Albania” nuk e pamë në ekran, por u zëvendësua nga Ledion Liço në moderimin e programit.

Arbana e ceku largimin e saj nga “BBVA 3” dhe tregoi se është e lumtur që publiku e do dhe e kërkoi shumë para nisjes së programit, duke bërë edhe komente të tipit: “Nuk e shoh spektaklin nëse nuk e prezanton Arbana”.

“Jam shumë e lumtur që më do (publiku). Jam akoma më e lumtur që ka vëmendje ndaj meje. Jam shumë me fat në gjithë këtë vëmendje. Na shohin, na dëgjojnë, na kuptojnë, na besojnë. Është shumë e rëndësishme të na dëgjojnë. E vlerësoj shumë këtë”, u shpreh ajo.
Mandej, tregoi pse nuk është më në rolin e moderatores në “BBVA 3”:

“Pavarësisht se më vjen keq t`ju zhgënjej. Nuk ndodhi asgjë. Vija nga një periudhë shumë e ngjeshur dhe vendimi im për të vazhduar projekte, dëshira, qoftë edhe qëndrimi më shumë me fëmijët, ndjekja e pasioneve të mia, hapja e një sipërmarrjeje të re, bërja e gjërave ndryshe. Unë e kam bërë “Big Brother” për shumë shumë vite. Kam bërë programe të tjera për shumë vite. E kuptoj që publiku është i lidhur me mua shumë në figurën e “Big Brother”, aq më tepër gjatë këtyre dy viteve të fundit, ku “Big Brother” ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Po ashtu, unë e di që publiku mësohet edhe me një figurë tjetër. Iki unë, vjen dikush tjetër. Asnjëherë s’e kam menduar që është një herezi e madhe të lësh një projekt, sepse po lë të tjerët në baltë”.

Arbana tregoi edhe pse nuk e tha kurrë se do të largohej nga moderimi i programit dhe nuk i tha asgjë publikut se edicioni i dytë i“Big Brother-it” do të ishte i fundit që ajo prezantonte:

“Vazhdimisht kur e di se gjërat mes meje dhe njerëzve të mi të afërt, për tematika të caktuara, janë krejt të qarta, nuk e ndjej të nevojshme të jap shpjegime publike, në të gjitha sferat. Kështu që nuk e ndjeva që unë në finalen e “Big Brother” duhet të thoja: “Shiko se ky është edicioni im i fundit”, se unë jam një nga hallkat e programit. Njerëzit do ta ndjekin programin me ose pa mua, ç’rëndësi ka a do jem a s’do jem unë. Nuk e ndiej se duhet t’i jap gjithë këto kredite vetes për ta glorifikuar këtë personazhin tim dhe pozicionin tim. “Shiko se unë po iki dhe po ju lë…”. Thashë: “Kur të fillojë “Big Brother”, unë do bëj një urim nga zemra për ata të cilët do ta vazhdojnë programin edhe e mendova të mjaftueshme”.

Arbana rrëfeu se në një program si “Big Brother”, praktikisht, nuk ka jetuar për 5 muaj.

“Një program si “Big Brother” të kërkon 24 orë në 24. Unë do kisha qenë më rehat po të isha mbyllur tek shtëpia e “Big Brother” sesa duke qenë “head of content” nga jashtë. Ke shumë përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj konkurrentëve, përgjegjësi ndaj familjarëve, ke përgjegjësi ndaj drejtuesve të televizionit dhe shifrave të audiencës që duhet t’i mbash gjithë kohën lart. Ke përgjegjësi ndaj stafit që qëndron aty bashkë me ty dhe nuk bën absolutisht asgjë tjetër”, tha ajo.

Më pas, shtoi:

“Ato 5 muaj, flas të paktën për stafin e ngushtë, ne që punonim shumë, ti nuk jeton. Unë nuk kam jetuar 5 muaj kur transmetohej “Big Brother”. Unë edhe kur isha me fëmijët e mi, nuk isha me fëmijët e mi. Telefoni im gjatë natës nuk ka qenë kurrë silent. Që në momentin kur fillon e deri kur mbaron “Big Brother”. Asnjëherë. Nuk bën dot një udhëtim. Nuk ha dot një darkë pa qenë tërësisht e lidhur me ata, me shtëpinë e famshme. Unë mendoj që nuk ka një arsye dhe një mënyrë tjetër për ta bërë “Big Brother”. Qofsha unë e gabuar, ose ndoshta jam dhënë unë më shumë seç duhet. Po këtë e mendoj fort, duke parë edhe përvojën dhe eksperiencën e simotrave tona në samite dhe konferenca që kemi bërë me të gjitha shtetet që e organizojnë. Është lloji i formatit i tillë. Të do të gjithën”, duke pranuar se e gjitha kjo e ka sfilitur.

Ajo tha edhe se Joni, i biri i kërkoi të mos e bënte programin: “Më ka thënë Joni në një moment: “Mami, të lutem mos e bëj më këtë “Big Brother”. Bëj ndonjë program tjetër…” Nuk ka qenë kjo arsyeja pse unë nuk bëra Big Brother-in, sepse nuk dua që të jem kurrsesi aq e nënshtruar qoftë edhe ndaj kërkesës së djalit tim për të mos ndjekur karrierën, ëndrrat dhe punën time. Mendoj se është shumë e rëndësishme për mua si grua që të jem shumë e lumtur. Po ka qenë një nga gjërat që më ka ardhur keq. Se ata kanë shumë nevojë për ne tani. Do vijë momenti kur s’do kenë nevojë për ne edhe besoj që s’do më hapë as telefonin, por për momentin duket se ka nevojë për ne”.

Sa i përket thashethemit se ka kërkuar 600 mijë euro për moderimin e programit, Arbana u përgjigj:

“Nëse unë do të kisha vendosur paratë si një pikë vendimtare që ka të bëjë me vendimet e mia të rëndësishme, do kisha qenë o shumë, shumë e pasur o shumë, shumë e varfër. Paratë nuk janë kurrë në zemrën time. Puna ime bëhet me shumë zemër. Në çdo aspekt. Qoftë në biznes, qoftë në televizion, qoftë në çdo hapësirë. Nuk janë kurrë paratë ato që orientojnë një vendim. Janë shumë të rëndësishme dhe mendoj që gjithsecili nga ne duhet të kërkojë patjetër para nëse mendon se vlen, por kurrë duke qenë ato vendimtare për një zgjedhje të caktuar”.

Ledion Liço është prezantuesi i spektaklit këtë vit. Largimi i Arbanës u prit me shumë komente dhe “kryengritje” nga njerëzit, por duket se edhe pasi moderatorët ndryshohen, formati ka interes dhe vëmendje publike. Tanimë (referuar komenteve të shumta në rrjetet sociale), shumica e njerëzve janë mësuar me moderimin e Ledionit dhe e vlerësojnë lirshmërinë, batutat dhe humorin e tij.

Lini një Përgjigje