Arrestohen dy serbë pasi kanë shtënë me armë zjarri për Krishtlindje

Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, pas marrjes së informatave përmes rrugëve operative, sigurimit dhe analizimit të video incizimeve, njofton se ka identifikuar tre të dyshuar serbë kosovarë, nga të cilët ka arrestuar dy prej tyre, A.S. 30-vjeçar dhe D.M. 26-vjeçar pasi të njëjtit dyshohet se me datën 07.01.2023 në Kllokot rreth mesnatës me rastin e festimit të festës së ,,Krishtlindjeve Ortodokse’’ kanë shtënë me armë zjarri duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Bëhet e ditur se i dyshuari i tretë po ashtu serb kosovar nuk është arritur që të takohet dhe i njëjti është në kërkim policor.

Me urdhëresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake nga kjo njësi është realizuar kontrollë në tri lokacione të ndryshme, ndërsa dy armë automatike AK47 të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë rast nuk është arritur që të gjenden aktualisht.

Dy të dyshuarit e lartcekur pas shoqërimit në zyrat e Njësisë së Hetimeve Rajonale Gjilan janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ndaj dy të dyshuarve ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tyre do të ngritet kallëzim penal për veprat penale ‘’Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’’, ‘’Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe ‘’Përdorimi i armës’’ dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore.