Kurti pritet nga guvernatori i Massachusetts, flasin për mundësitë për investime në Kosovë

Pasi e la Washingtonin, kryeministri Albin Kurti ka shkuar në Massachusetts, ku është pritur në takim nga guvernatori i këtij shteti, Charles Baker.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti dhe Baker “diskutuan mbi avancimin e parimeve demokratike, për mënyrat e bashkëpunimit në ekonomi, mbrojtje e siguri”.

“Duke folur për mundësitë për investime në Kosovë, kryeministri Kurti tha se rinia e talentuar, rritja ekonomike, e eksporteve dhe e të hyrave tatimore, borxhi i ulët publik, me më pak se 30 përqind të Bruto Produktit Vendor, trajtimi ndaj investitorëve të huaj dhe Gjykata Komerciale në themelim e sipër, ofrojnë mjedis të favorshëm për investime dhe të të bërit biznes në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kurti po ashtu thuhet se i ka folur Bakerit për “klimën tërheqëse për investime, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit”.

“Mbi 650 kompani të këtij sektori, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë”, thotë ZKM.

“Si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë, kryeministri Kurti përmendi edhe pozitën e favorshme gjeografike dhe kulturore, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit, politikën stabile fiskale, infrastrukturën moderne të transportit etj”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.