Arrestohen pesë persona pas rrahjes në një lokal në Ferizaj, policia jep detaje

Pesë persona janë arrestuar pas një rrahje që ndodhi mbrëmë në orët e vona, në një lokal në Ferizaj.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, i cili tha se ende nuk dihen motivet e rrahjes.

“Motivet nuk dihen, jemi duke punuar në atë drejtim. Janë shoqëruar në stacion pesë persona, lëndime të lehta kanë pasur. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të njëjtit janë liruar dhe lënda në gjykatë shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë Gashi.

Gazeta Sinjali ka mësuar se rrahja kishte nisur brenda një lokali, për të vazhduar edhe jashtë.

Një tjetër rrahje kishte ndodhur në Ferizaj para dy netësh, por në një tjetër lokal, e që njësoj kishte vazhduar edhe jashtë.