Arrestohet Fitim Thaqi pasi kërcënoi gazetarin Vehbi Kajtazi

Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë Fitim Thaqin pas kërcënimeve të vazhdueshme që ia ka bërë gazetarit Vehbi Kajtazi.

“Viktima mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se përmes rrjeteve sociale Facebook, nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar është duke pranuar mesazhe kërcënuese. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton policia e Kosovës.

Kajtazi e ka lajmëruar policinë edhe ditë më parë se ka pranuar mesazhe kërcënuese nga Thaçi, madje, ai ka përdorur edhe gjuhë të urrejtjes si “bashkëpunëtor i Serbisë, anti UÇK”, etj, shkruan Insjaderi.

Kajtazi ka ngritur kallëzim penal ndaj Fitim Thaqit pasi nga ai ishte kërcënuar edhe më herët.

Fitim Thaqi para dy vitesh në pikë të ditës kishte sulmuar fizikisht Vehbi Kajtazin për çka ishte dënuar me katër muaj burg, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por që ishte liruar me kusht.