Haradinaj takohet me ministrin e brendshëm francez, kërkon mbështetje për vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Francë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se ka zhvilluar edhe një takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, Christophe Castaner, në ç’rast edhe kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim të specializuar policor.

Kreu i ekzekutivit po ashtu tha se në takim me ministrin francez, ka kërkuar mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Me ministrin Castaner për përkrahjen franceze për lëvizje të lirë dhe nënshkrim të marrëveshjes për bashkëpunim të specializuar policor!

Në takim me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, kërkova mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin. Në këtë frymë, bashkë nënshkruam edhe letrën e qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal.

Theksova se Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet europiane fitojnë mundësi më shumë. Ministrin Castaner e njoftova edhe për të arriturat në vendin tonë, përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit, luftimin e terrorizmit, dhe synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO.

Falënderova ministrin Castaner për ndihmën e vazhdueshme që Franca i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike dhe në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, partneriteti i shtetit mik vazhdon të jetë i nevojshëm.

Kosova i plotëson kushtet dhe Franca është partneri kryesor drejt përgjigjes finale për lëvizje të lirë.”