Arrestohet grupi i grabitësve në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda,  në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës- Njësia e Hetimeve Rajonale në Ferizaj, pas një pune hetimore intensive, ka arritur të arrestoj katër prej pesë personave me iniciale  G.D., Ç.D., R.H. dhe D.M.

Sipas njoftimit, ata akuzohen për grabitjen e ndodhur ditën e  diele, në orët e mëngjesit,  më datën 14.04.2019, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shkup, saktësisht në pikën e karburanteve “IT-Petrol”- në Ferizaj.

Sipas njoftimit, në këtë rast të njëjtit, si grup i organizuar mirë, të maskuar dhe nën kërcënimin e thikave kishin grabitur një shumë të konsiderueshme të parave.

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se me vendim të prokurorit ndaj katër personave është caktuar masa e ndalimit për 48 orë ndërsa njëri nga ta ende është në kërkim e sipër.