Arrestohet në flagrancë një 43 vjeçar, i konfiskohen armë

Policia ndërhyn për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti, arreston në flagrancë një 43 vjeçar. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 43 vjeçarit , i cili ishte dhe shkaktari i konfliktit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës, si edhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë, pas marrjes njoftim se në fshatin Podë, dy bashkëfshatarë po konfliktohej për motive të dobëta, kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Në vijim të veprimeve të tjera procedurale, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A.LL, 43 vjeç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: armë zjarri tip pushkë, disa krehra për mbajtje fishekësh luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës, fishekë armë gjahu, kapsolla për fishekë çifteje, material të dyshuar barut.

Shtetasi A.LL u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.