Arrestohet shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Drenas

Është arrestuar ngasësi i automjetit i cili ka goditur për vdekje një 19-vjeçar në Arllat të Drenasit.

Policia njofton se aksidenti ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa i dyshuari është arrestuar këtë të mërkurë.

“Sot (15.02.2023) rreth orës 05:40 e kemi pranuar informatën nga QKUK, se ka ndërruar jetë personi, E. B. mashkull, 19 vjeç. Bëhet fjalë për këmbësorin cili u aksidentua dje në Arllat”, thuhet në komunikatën për media.

“Lidhur me rastin nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, është identifikuar ngasësi i automjetit, që ka qenë i përfshirë në aksident”.

I dyshuari pas intervistimi bëhet e ditur se është dërguar në mbajtje.

“Menjëherë nga hetuesit është siguruar prezenca e personit të dyshuar, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.