Asociacioni dhe anëtarësimi në KiE/ “Nëse Qeveria s’i përmbush kërkesat e aleatëve, Kosova jashtë agjende dhe vendi shkon në zgjedhje”

Në maj pritet votimi në Këshillin e Ministrave, për anëtarësimin e Kosovës në KiE.E, edhe pse Asociacioni nuk është kusht për këtë anëtarësim, nga shtete anëtare kanë ardhur kërkesa ndaj Kosovës që ta dërgojë në Kushtetuese draft statutin e Asociacionit.

Lidhur me këtë, analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre për Gazeta Blic.Analisti politik Halil Matoshi, thotë se pritjet janë reale për anëtarësim dhe se Kosova i di detyrat e saj dhe hapat përpara që kërkohen nga aleatët.

“Po natyrisht, pritjet janë reale, mirëpo Kosova shtetërore i di, besoj, detyrat e veta, hapat përpara, që i kërkojnë aleatët”, deklaron ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, profesori Arben Fetoshi, vlerëson se kërkesat që drafti të dërgohet në Kushtetuese janë kthyer në kusht për pranim të Kosovës në KiE, duke shtuar se këto thirrje të vazhdueshme të ndërkombëtarëve reflektojnë dy gjëra.

“Themelimi i asociacionit nuk është kusht, por kërkesat për hapa konkret, që nënkupton së paku procedimin e draftit në Gjykatën Kushtetuese, me sa duket janë kthyer në kusht për votimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Thirrjet e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë reflektojnë, e para, angazhimin e tyre për të siguruar shumicën e nevojshme në Komitetin e Ministrave, dhe e dyta, një dozë mosbesimi ndaj qeverisë, përkatësisht krerëve të institucioneve, të cilët janë zotuar që asociacionin, së bashku me obligimet e tjera, t’i përmbushin pas anëtarësimit”, potencon ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, nëse kërkesa është bërë si kusht ndaj Qeverisë, me 17 maj Kosova s’do të jetë në agjendë dhe pranimi do të shtyhet për vitin e ardhshëm, ku një situatë e tillë na çon në zgjedhje të parakohshme në korrik.

“Nëse kjo kërkesë i është transmetuar qeverisë si kusht për votimin, atëherë më 17 maj Kosova nuk do të përfshihet në agjendë dhe pranimi do të shtyhet për vitin e ardhshëm. Një situatë e tillë mendoj se na çon menjëherë në zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të ndodhin në korrik”, thekson profesori Arben Fetoshi.

Kurse, analisti dhe juristi Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se ka elemente kushtëzimi e presion për ta themeluar Asociacionin, por që nuk është kriter për anëtarësim në KiE.

“Ka elemente kushtëzimi, e herë presion për të themeluar Asociacionin, kushtëzim të drejtpërdrejtë nuk ka, nuk do të ishte korrekte të ndodhë kushtëzimi me diçka që nuk ka të bëjë me kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë, pra s’mund të ketë kritere pa rregullative që e parasheh KiE, kjo është e qartë, pra duhet të ketë lobim sa më shumë nga Kosova tek KiE, përfaqësuesit e shteteve, për të kaluar me sukses sfidën e fundit”, thotë ai.

Burjani shprehet optimist se Kosova do të anëtarësohet në këtë organizatë.
“Kurti dhe të gjitha partitë në Kuvend kanë punuar shumë dhe lobizuar tërë kohën, duhet të kemi sukses. Unë jam optimist se Kosova do të anëtarësohet në KiE”, deklaron Blerim Burjani./Gazeta Blic/

Lini një Përgjigje