Asociacioni i Komunave i del në mbrojtje Xhafer Tahirit, pas polemikave me ministren Albulena Haxhiu

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka dal në mbrojtje kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, pas polemikave që Tahiri ditëve të fundit ka zhvilluar me ministren Albulena Haxhiu lidhur me pronën e ish “Motel Vicianumit”, shkruan Fokusi.info.

Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe reagimin e vetë si organizëm i të gjithë Kryetarëve të Komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z.Xhafer Tahiri.

Njoftimi i plotë i Asociacioni i Komunave të Kosovës:

SULMET E MINISTRES NDAJ KRYETARIT TË KOMUNËS JANË TË PAPRANUESHME DHE TENTIM NDIKIMI

Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe reagimin e vetë si organizëm i të gjithë Kryetarëve të Komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z.Xhafer Tahiri.

Sigurojmë znj. Haxhiu që secili Kryetar i Komunës, e edhe z. Xhafer Tahiri, si kryetar i Komunës së Vushtrrisë janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror.

Sulmet në media ndaj Kryetarëve të zgjedhur të Komunave, pa i shterur të gjitha kanalet e brendshme të komunikimit zyrtarë janë të papranueshme dhe tentim për ushtrim të ndikimit.

Prona publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit Kryetar Komune në Kosovë, pasi këto prona janë jetike për zhvillim të projekteve kapitale në Komunë për interes të përgjithshëm.

Ftojmë Ministren Haxhiu të tërheqë kërcënimin publik ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z. Tahiri.