Asociacioni i Komunave të Kosovës, qeverisë: Po heshtni ndaj problemeve për webfaqet komunale

Asociacioni i Komunave të Kosovës, e ka akuzuar qeverinë duke thënë se po vazhdon të hesht për problemet me webfaqet komunale, e që sipas tyre, po i penalizon komunat në grantin e performancës.

Asociacioni tha se komunat po hyjnë në vitin e dytë që kanë probleme të theksuara me webfaqet zyrtare, madje, sipas tyre, është java e dytë që faqet e komunave nuk janë duke funksionuar fare në publikimin e dokumenteve.

“Këto shqetësime, Kolegjiumi i Zyrtarëve për Komunikim me Publikun në Komuna, e kanë paraqitur disa herë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por ende nuk është bërë asnjë zgjidhje dhe komunat janë duke marrë barrën e dështimit, pa fajin e tyre”.

“Komunat vazhdimisht janë duke u ballafaquar me probleme në mos funksionimin e web faqeve, madje ka pasur raste kur në mos funksionimin e tyre, kanë humbur pjesa më e madhe e dokumenteve dhe është e veshtirë të identifikohen dokumentet e humbura”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

Tutje, Asociacioni i Komunave të Kosovës tha se zyrtarët për komunikim me publikun në komuna janë duke shqyrtuar mundësinë të mos raportojnë fare në platformën e Grantit të Performancës për vitin 2022.

“Po ashtu Komunat janë duke u penalizuar jo vetëm në matjen për Grantin e Perofmancës nga MAPL, por edhe në të gjitha matjet e OJQ-ve, nga Auditorët e Jashtëm, qytetarët, mediat dhe në secilin dimension tjetër që ka të bëjë me transparencën komunale”.

“Ky është viti i dytë, kur zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë tejet veshtirësi dhe shumë herë edhe nuk janë funksionale ëeb faqet, ndërsa Qeveria asnjë herë nuk është marrë me këtë problem përkundër që është nën menaxhimin e tyre”, thuhet tutje në reagim.

Më tej, Asociacioni tha se shqetësimet i kanë ngritur tash e disa kohë, por deri më tani, sipas tyre, nuk është hetuar ndonjë vullnet nga niveli qendror për të zgjidhur këtë problem.