Atentat ndaj biznesmenit të njohur, plumbat e kallashnikovit kapin një kalimtar rasti

Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e rëndë në orët e mëngjesit të së dielës, ku u plagosën me breshëri automatiku një biznesmen dhe një kalimtar i rastit.

Pas hetimeve të kryera, provave të mbledhura në vendngjarje dhe kamerave të sigurisë, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Visi dhe Andrea Çaushi si dhe shtetasin Redjan Hadëri, të tre nga Tepelena, për plagosjen e biznesmenit Spiro Iljadhi dhe kalimtarit Mario Jani.

Spiro Iljadhi, pronari i një prej lokaleve më të njohur në qytetin bregdetar u qëllua me armë pranë biznesit të tij rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ai u qëllua me breshëri automatiku dhe ndodhet në spitalin e traumës në gjendje të rëndë shëndetësore. Plumbat raportohet të kenë kapur rastësisht dhe kalimtarin Mario Jani.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe pronarit të lokalit

Njoftimi i plotë nga policia e Shqipërisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, në lagjen Nr.1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit S. I., dhe M. J.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim tre autorët e dyshuar të ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mengjesin e sotëm, kanë bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar, shtetasit:

A.C., 35 vjeç V. C., 33 vjeç (vëllezër) dhe R. H., 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë.

Këta shtetas, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë dhe një kalimtar të rastit shtetasin M. J., 33 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasit S. I.

Nga ana e Policisë po punohet intensivisht për kapjen e tyre, vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.