Avancojnë forcat ruse ashpërsohet beteja në Kiev

Në kryeqytetin Ukrainas, Kiev ka nisur të ashpërsohet beteja. Forcat ruse kanë avancuar me konvojin e tyre deri në 25km pranë kryeqytetit. Mëngjesin e sotëm janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa qytetarët kanë publikuar fotografi nga siç thonë ata “Fortesa e Kievit”.

Avionët luftarak rusë kanë sulmuar një aeroport të Kievit duke shkatërruar pistën dhe rezervat e karburantit. Janë dëgjuar shpërthime të mëdha që kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se humbjet ushtarake të Rusisë në Ukrainë janë të mëdha dhe se për këtë arsye duhet tërhequr nga territori të cilin e ka pushtuar.

“Trupat ruse po përjetojnë humbje të mëdha. Mund të flasim madje për goditjen më të madhe të trupave ruse në dekadat e fundit. Të paktën 31 grupe taktike të batalioneve ruse tani janë bërë të paaftë për të luftuar”, tha Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës

MPJ e Ukrainës ka njoftuar se forcat ruse kanë sulmuar një xhami në të cilën ishin strehuar 80 civilë. Autoritetet thonë se brenda saj ka pasur kryesisht shtetas turq prej të cilëve të paktën 34 fëmijë. Por kreu i Bashkësisë së xhamive të “Sulltan Sulejmanit të madhërishëm” ka njoftuar mediat turke se bëhet fjalë për sulm në afërsi të xhamisë dhe se nuk ka civilë të lënduar.

Në Chernihiv, qytet pranë Kievit është sulmuar me armë të rënda. Janë goditur shkollat, spitalet dhe vendstrehimet e civilëve. Guvernatori i këtij qyteti thotë se ushtria ruse po shkatërron infrastrukturën për të pamundësuar evakuimin e civilëve.

“Armiqtë po sulmojnë nga ajri dhe toka me armë të rënda. Qytetarët e pafajshëm dhe liridashës po vdesin, ndërsa ka mijëra të lënduar. Armiqtë po godasin infrastrukturën e civilëve me qëllim pamundësimin e evakuimit të tyre”, tha Viacheslav Chaus, Guvernator i Chernihivit, shkruan Alsat M.

Sirena dhe mjetet shpërthyese janë dëgjuar në disa qytete rreth Ukrainës. Harkivi, Mariupoli, Mikollaiv dhe Sumi janë duke u përballur me bombardime të vazhdueshme si dhe temperatura të ulëta, pa rrymë dhe me pak rezerva të ushqimit.