Haliti: Vuçiqit i intereson që ta formojë Asociacionin para zgjedhjeve

Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe para zgjedhjeve në Serbi për çka edhe, sipas tij, po e shfrytëzon situatën e krijuar në veri.

“Duhet ta kemi parasysh që ne ndonjëherë mendojmë se veç marrëveshjet që kanë të bëjnë me qëllimet dhe interesat tona individualiste janë të rëndësishme dhe të të tjerëve jo. Ata kanë hall tjetër. Aleksandar Vuçiqit i intereson fort që para zgjedhjeve të mund ta formojë ‘Zajednicën’ qysh po i thonë Vetëvendosja, pra Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Serbia e ka këtë qëllim dhe në bisedime do të dalë kjo çështje ku do të përplasen të dyja palët”, tha ai në Klan Kosova.

Haliti tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po e shfrytëzon vendosjen e reciprocitetit për targat ndaj Serbisë për vota.

“Qeveria Kurti po e shfrytëzon mirë për fushatë elektorale, por edhe partitë e tjera i kanë dhënë mbështetje kësaj çështje në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave sepse është një marrëveshje e nënshkruar disa vjet më parë”.

Deputeti opozitar ka thënë se nuk beson se kryeministri Albin Kurti ka bërë veprime që nuk janë të dakorduara me SHBA-të dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

“Me SHBA-të nuk mund të mos ketë dakordim. Unë me aq sa kam informata ai [Albin Kurti] ka kontakte, e kanë takuar dhe e takojnë vazhdimisht sepse është kryeministër i vendit. Ndoshta për ta goditur politikisht mund të thonë që ka përplasje, por këto përplasje do të kisha shumë dëshirë me i dëgju prej amerikanëve”.

“Duhet të dihet që kushdo që përplaset me amerikanët përplaset me interesat e popullit shqiptar, jo veç në Kosovë po kudo që janë. Kundër interesave të popullit shqiptar nuk guxon askush të veprojë, as Albini dhe as askush tjetër, veçanërisht kur janë në pyetje SHBA-të”.