Avokati: Gjykata sot pritet të marrë vendim për Molliqajn, arrestimi ishte i kundërligjshëm

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Me këtë rast, avokati mbrojtës i Molliqajt, Arbër Rexha ka deklaruar se presin që gjatë ditës Gjykata Themelore në Prishtinë të marrë vendim lidhur me kërkesën që kishte bërë Prokuroria për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

“Mund të konfirmoj se seanca për caktimin e masës së paraburgimit është mbyll dhe presim nxjerrjen e vendimit. Përveç që konsiderojmë se kërkesa për caktim të paraburgimit është e jashtëligjshme, konsiderojmë se edhe arrestimi është bërë në rrjedhë të kundërligjshme. Janë cenuar skajshëm të drejtat e garantuara me Kushtetutë, siç është e drejta e lirisë”, tha Rexha, shkruan lajmi.net.

Tutje ai deklaroi se vendimi pritet të merret sot, por pak më vonë për shkak të angazhimeve të Gjykatës.

“Për mbrojtjen ka qenë pak e paqartë kërkesa e Prokurorisë pasi aty pretendohej që z.Molliqaj mund të ikë jashtë Kosovës. Është pretenduar se ai ka qenë në arrati, por gjendja faktike është se ai s’ka qenë k urrë në arrati, por thjesht nuk është bërë dorëzim i rregullt në bazë të procedurave ligjor”, shtoi ai.

Ndryshe Molliqaj është arrestuar të shtunën mbrëmë para zyrave të “Pressing”, në kohën kur i njëjti pritej të shkonte për intervistë në kuadër të televizionit T7.

Për arrestimin e tij ishin angazhuar forca të shtuara të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës.