Avokati i Popullit: Nuk ka përmirësim të llogaridhënies nga institucionet

Me rastin e përmbylljes së vitit kalendarik 2019, Avokati i Popullit prezantoi 29 rastet e hapura nga Ex officio për raportimet e medieve gjatë këtij viti, raporton Ekonomia Online.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, deklaroi se Kosova po përballet me problemin e legjislacionit e cila po ndikon në sistemin e drejtësisë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Jashari theksoi se nuk ka përmirësim të llogaridhënies nga institucionet publike.

“Kosova vazhdon të përballet me problemin e legjislacionit në vend. E kjo afekton sistemin e drejtësisë. Vazhdojnë me pasur probleme në zbatimin e procedurave gjyqësore qe përbën shkelje të të drejtave njerëzore. Nuk ka përmirësime të llogaridhënies nga institucionet”, tha ai.

Avokati i Popullit bëri publike 29 rastet e hapura nga ex officio nga raportimet e mediave.

Sipas tij, 206 mijë e 534 pensionistë po trajtohen të pabarabartë nga bankat komerciale në ofrimin e shërbimeve.

Sfidë tjetër e vendit mbetët edhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge, ku ofrimet e shërbimeve sociale nuk përkojnë me dispozitat e BE-së.

Po ashtu Jashari e quajti dështim zingjiror të institucioneve në vrasjen e të miturit në Fushë Kosovë.

“Rastin e pensionistëve nga ana e bankave komerciale në Kosovë në ofrimin e shërbimeve të kreditit bankar që arrin shifrën 206 mijë e 534 pensionistë të trajtimit të pabarabartë. Trajtimi i fëmijëve në situatë rruge, kujdestaria nuk ka përmbush obligimet ligjore që tashme janë në fuqi. Ofrimet e shërbimeve sociale në gjithë vendin, ky raport është publikua dhe shërbimet sociale nuk përkojnë me Bashkimin Evropian. Mbetet i decentralizuar sa i përket të drejtave. Vrasje e një të mituri për të sjellë në drejtësi dorasit, kjo ka ndodhur për shkak të punëve jo efektive të institucioneve. dështimi zingjiror për mbrojtjen nga keqtrajtimi”, njoftoi ai.

Avokati i Popullit adresoi disa parregullsi të tjera për të cilat dha rekomandime se si të veprohet.

“Për shkak ta pasigurisë Avokati i Popullit kërkon nga Policia e Kosovës të rrisë numrin e zyrtarëve policor në fshatin Janjevë. Mungesa e mjeteve juridike efektive për zgjidhjen e kontesteve të punës nga nëpunësit civilë dhe nga kandidatët për pranim në shërbimin civil pasi janë 20 mijë nëpunës civil. Trajtimin e personave me HIV dhe AIDS në Kosovë pasi janë 35 pacientë që janë duke u trajtuar në QKUK nga Maj 2019. Kushtëzimin me anëtarësim në shoqatën e të verbërve të Kosovës për tu pajisur me libreza të verbërisë me qëllim të përfitimit të të drejtave dhe benificioneve të garantuara nga ligji për Personat e Verbër ku janë 2100 persona të verbër”

“Avokati i Popullit parashtroi padi kundër KQZ-së përkitazi me diskriminimin gjinor në listat e kandidatëve të subjekteve politike për Zgjedhjet Parlamentare 2019. Mosndërmarrja e veprimeve adekuate në drejtim të lirimit të hapësirave publike në Fushë Kosovë rreth 12 mijë qytetarë. Mohimi i së drejtës për shkollimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim në shkollën Xheladin Deda në Pejë. Ligji i pagave që Avokati i Popullit ka shtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Jashari bëri të ditur se për 70% është rritur numri i qasjes në dokumentet publike në krahasim me vitin e kaluar.