Avokati mbrojtës i Selimit thotë se procesi i nxjerrjes së materialeve për ecurinë e rastit po shkon ngadalë

Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka thënë se procesi i nxjerrjes së materialeve ecurinë e rastit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke shkuar ngadalë.

Ai në seancën e sotme e cila është duke u mbajtur theksoi se nuk është bërë asnjë lloj progresi dhe se janë në situatën e njëjtë.

“Unë do të flas shkurtimisht pozicionin tim e kam bërë të qartë sa i përket nxjerrjes se informacioneve nga rregulli 102/1B. Ju z. Gjykatës i keni kërkuar Prokurorisë të nxjerr të gjitha materialet që bijnë në rregullin 102/1B deri në maj të këtij viti, kanë kaluar pothuaj gjashtë muaj që kur këto dokumente do të duhej të ishin nxjerr. Sa herë që vijmë këtu kërkohet të ndodh një zgjatje, po ecim me një ritëm të ngadaltë”,ka thënë Roberts.

Prokurorja e rastit gjatë ditës së sotme ka kërkuar që afati për përkthimin e plotë dhe redaktimin e disa dokumenteve të cilat janë nxjerrë në kuadër të materialeve të ecurisë së rastit të shtyhet deri më 31 janar të vitit 2022.