Avokati Palushi konsideron se presidentja e shkarkoi kundërligjshëm Valdete Dakën

Shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në prag të zgjedhjeve vendore ka krijuar një sërë polemikash.

Avokati Kushtrim Palushi tha për Euronews Albania se shkarkimi i kryesuesit të KQZ-së nuk është kompetencë e presidentit, sepse duhet të jetë një komision i posaçëm ose organet e brendshme të cilat të vlerësojnë deri në çfarë pike është dëmtuar imazhi.

Ligji e parasheh se presidenti mund ta shkarkojë kryesuesen e KQZ-së, por çështja është se sa presidenti mund të konstatojë vetë rrethanat faktike që mund të shpien në shkarkimin, konkretisht të Valdete Dakës.

“Arsyeja që është përmendur për “dëmtimin e imazhit të KQZ-së”, duhet të formohet një komision hetimor që të konstatojë se si, në çfarë rrethanash dhe me çfarë veprimesh, në çfarë kohe, kryesuesi i KQZ-së ka dëmtuar imazhin e këtij institucioni, dhe më pas t’i rekomandojë presidentit shkarkimin e kryesuesit të KQZ-së”, u shpreh avokati.

Palushi theksoi gjithashtu se në të tilla kushte Daka mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për realizimin e të drejtave të saj.