Bajram Begaj betohet si President: Nuk do të qëndroj neutral ndaj askujt që vendos interesat politike mbi kombin

Bajram Begaj është betuar në Parlament si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Bajram Begaj: “Shqipëria jonë e dashur ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme evropiane. Shqipëria evropiane sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndërr më të bukur historike të popullit shqiptar, është testamenti i ardhur prej historisë dhe bekimi i së ardhmes. Unë e njoh, e mbështes dhe respektoj punën e qeverisë, por nuk justifikohet asnjë dështim. Unë e mbështes dhe e respektoj opozitën, por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit. Periudha që po jetojmë është një nga më të vështirat. Pas pandemisë agresioni rus, një sulm i paprovokuar i Rusisë ndaj popullit të Ukrainës, e ka futur botën në një tjetër krizë.

U betova sot se do t’i shërbej Kushtetutës dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të Kushtetutës këtë mision do ta kryejë mbi palët por nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që bie ndesh mbi këtë parim, nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike mbi atë të Kombit.

Do të këmbëngul dhe mbështes përherë për bashkëpunimin mes forcave politike, ne jemi shërbyes të qytetarëve dhe konflikti nuk është asnjëherë një shërbyes i mirë. Kemi nevojë të ridimensionojmë besimin publik. Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e të shkuarës dhe të tashmes, të ndërtojmë bashkarisht ura lidhëse midisi shtetit dhe shtetasve”.

Ish-Gjenerali i ushtrisë, Begaj merr sot zyrtarisht detyrën ku pas betimit në Parlament do të shkojë drejt Presidencës, ku do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga Ilir Meta i cili ka përfunduar mandatin e tij në krye të shtetit shqiptar.

Në seancën e posaçme parlamentare marrin pjesë trupa diplomatike e akredituar në Tiranë, personalitete politike nga vendet fqinje dhe përfaqësues të besimeve fetare në vendin tonë.

Bajram Begaj shoqërohet nga bashkëshortja dhe fëmijët në këtë ditë të rëndësishme.

Bajram Begaj u zgjodh si President i Republikës me votat e mazhorancës socialiste në Parlament. Ndërsa në seancën e sotme ku do të bëhet betimi, një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike nuk marrin pjesë. /tvklan.al