Balje flet për diskriminimin e vajzave me shami

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, ka thënë se është tejet shqetësues diskriminimi i grave me shami në shkolla dhe institucione të Kosovës.

Balje thotë se nuk ka as shpjegim pse ndodh kjo kur një e drejtë e tillë është e garantuar me ligj dhe Kushtetutë të Kosovës, por thotë se është e vendosur që kjo situatë duhet ndryshuar, njofton Klan Kosova.

“Edhe po të mendoj një muaj nuk e di pse ndodh”.

Deputetja thotë se gratë me mbulesë asnjëherë nuk kanë qenë prioritet në Kosovë.

“Ka shumë vajza që janë shumë inteligjente dhe kanë përfunduar fakultetin e masterin dhe praktikisht ato në tregun e punës nuk ekzistojnë. Problemi është shumë i thjeshtë. Ne nuk kemi ligj që mundemi me ndalë për të shkuar në shkollë apo punë. Kemi një udhëzim të vitit 2014, por ata kanë të drejtë bazuar në Kushtetutën e Kosovës”.

Balje thotë se ka pasë drejtorë nëpër komuna që i kanë ndalë vajzat për të shkuar në shkollë edhe pse nuk kanë të drejtë.

“Shumë pak gra me shami ka nëpër institucionet e Kosovës. S’mundeni me pa. Praktikisht si Kosovë ne dimë të jetojmë me diçka ndryshe dhe kjo është pozitive për Kosovën. T’i gjykojmë gratë me shami vërtet s’mund të gjej arsyetim pse. E dimë që në Kosovë feja myslimane është mbi 90 përqind”.

Deputetja Balje në Sytë 7 ka thënë se kanë bërë kërkesa për ta anuluar atë udhëzim administrativ nga Ministria e Arsimit dhe se ministrja Nagavci nuk ka qenë kundër, por se është përgjigjur se duhet kohë për ta rregulluar këtë çështje.

“Ky është një mesazh për ne si Ministri, Qeveri dhe Kuvend. Duhet sa më shpejt ta ndryshojmë këtë situatë, sepse me ligj dhe Kushtetutë nuk kemi problem. Edhe në islam madje askush nuk guxon të thotë vendose apo hiqe shaminë”.

Po ashtu, Balje thotë se janë në fazën e fundit të ndërtimit të ligjit kundër dhunës ndaj grave dhe tha se këtë herë do të jenë më rigorozë, duke e trajtuar çështjen nga policia deri te gjykatat.