Balje: Moszgjedhja e bordit të Trustit është shumë e dëmshme

Deputetja e grupit multietnik Duda Balje, ka deklaruar se moszgjedhja e bordit është e dëmshme dhe institucionit të Trustit me këtë po i humb kredibiliteti.

“Unë mendoj se mos zgjedhja e bordit është shumë e dëmshme sepse njëri prej anëtarëve të bordit duhet me qenë edhe guvernatori, e ne në fakt nuk kemi guvernator por kemi vetëm ushtrues detyre edhe unë mendoj se sa më shpejtë duhet të zgjidhet bordi sepse çdo ditë jemi duke humbur, e po i humb edhe kredibiliteti këtij institucioni edhe jemi duke humbur të hollat e qytetarëve. Unë mendoj se kjo është një prej hapave shumë të rrezikshëm për ne”, ka thënë Balje për Front Online.

Sipas saj, duhet të gjendet një mundësi më e shpejtë që të hapet konkursi dhe të zgjidhen anëtarët e bordit.

Balje, ka thënë se anëtarët e komisionit përzgjedhës e që janë Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë se kur do ta rishpallin konkursin, por se mendon se kjo do të ndodhë shpejtë.

Rreth një muaj më parë ish-ministri i Financave Avdullah Hoti kishte shkruar se “Mungesa e Bordit mund të dëmtojë investimet e Trusti me qindra miliona euro për shkak se: 1. Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara. Në rast se ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, siç po ndodh muajve të fundit, askush nuk mund të bëjë ndryshime në portfolion e investimeve për të evituar uljen e vlerës së investimeve ekzistuese të Trustit. 2. Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, që mund të jenë në miliona euro, nuk do të mund të investohen në tregje financiare.

Kurse, ish-kryetari i Bordit të Fondit Pensional të Kursimeve, Ymer Havolli, i ka quajtur të pajustifikueshme vonesat për konstituimin e bordit të ri të këtij fondi.