“Qytetarët po e braktisin Kurtin, sepse ai i ka braktisur kauzat e qytetarët”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj nëpërmjet një postimi në Facebook sërish e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ai ka bërë thirrje të ndalet presioni ndaj sindikatave, ndërsa në anën tjetër ka thënë se deklaratat e kryeministrit dhe të ministrave po shndërrohen në urdhëra policorë.

“Kurti e Murati sulmuan para ca ditësh sindikatat në media, inspektorët dje u hynë nëpër zyra.”, tha Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se Kurti po i braktis idetë e barazisë, të drejtave të punëtorëve e mirëqenies sociale.

“Partia shtet nuk lejon organizata të pavarura. Aq më pak protestuese. Për të ose ka organizata të partisë që duhet t’i instrumentalizojë, ose organizata armiqësore që duhet t’i luftojë. Mendësia totalitare nuk e pranon tjetrin të barabartë por veç të nënshtruar. Dhe kjo s’është diçka e re, sepse ka ndodhur gjithandej ku ka pasur pushtete të tilla.”, ka shkruar Molliqaj.

Në fund, Molliqaj ka thënë se qytetarët po e braktisin Kurtin.

Ky është postimi i tij:

Të ndalet menjëherë presioni ndaj sindikatave
Siç ndodh rëndom në pushtetet me tendenca totalitare, deklaratat e kryeministrit dhe ministrave shndërrohen në urdhëra policor. Kurti e Murati sulmuan para ca ditësh sindikatat në media, inspektorët dje u hynë nëpër zyra.

Siç ndodh rëndom në shtetet me orientim ideologjik të djathtë, aktiviteti sindikal sulmohet e shtypet. Kurti që braktisi idetë e barazisë, të drejtave të punëtorëve dhe mirëqenies sociale, sot armikun e sheh bash tek sindikatat.

Partia shtet nuk lejon organizata të pavarura. Aq më pak protestuese. Për të ose ka organizata të partisë që duhet t’i instrumentalizojë, ose organizata armiqësore që duhet t’i luftojë. Mendësia totalitare nuk e pranon tjetrin të barabartë por veç të nënshtruar. Dhe kjo s’është diçka e re, sepse ka ndodhur gjithandej ku ka pasur pushtete të tilla.

Protesta e kundërshtimi ndaj Kurtit, përherë e më shumë po bëhen shënjues të protestës për barazi sociale, mirëqenie ekonomike e demokraci. Të gjitha këto, projekte të braktisura prej tij. Kurti ka braktisur kauzat e qytetarët po e braktisin Kurtin. Drejtësia e kauzave ka mposhtur çdo apetit të individit.