Bankat në hall, deponohen qindra euro false në ‘BKT’ dhe ‘Pro Credit

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro.

Dy raste të tilla janë zbuluar dje në Bankën Kombëtare Tregtare në Prishtinë dhe në Pro Credit Bank në Pejë.

Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtari i BKT-së ka njoftuar Policinë se një klient ka deponuar qindra euro false, nëpërmjet monedhave metalike.

Paratë janë konfiskuar për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikimi i parasë’.

Po ashtu edhe në ‘Pro Credit’, janë detektuar dhjetëra kartëmonedha të vlerave të mëdha, të cilat dyshohet se janë false.

Policia ka nisur hetimet për rastin që është cilësuar ‘Falsifikim i parasë’ dhe mjetet janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Lidhur me këtë është deklaruar së fundi edhe Banka Qendrore e Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga qytetarët që të shmangin përdorimin e parave të gatshme [veçanërisht monedhën 2 euro] dhe pagesat t’i kryejnë kryesisht përmes kartelës bankare.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.