Covax i konfirmon ish-ministrit Zemaj ardhjen e vaksinave të tjera në Kosovë, ai ia përcjellë detajet dhe kontaktet ministrit Vitia

Në Republikën e Kosovës shumë shpejt pritet të vijnë edhe doza të tjera të vaksinave Pfizer-BioNTech për të luftuar koronavirusin, shkruan IndeksOnline.

Programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka nisë shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë dhe kjo do të vazhdojë.

Kjo iu konfirmua ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, përmes një email-i zyrtar nga Covax.

“I nderuar ministër i Shëndetësisë, caktimi për dozat Pfizer-BioNTech BNT162b2 që janë në dispozicion për muajin qershor 2021 janë kompletuar më 19 mars, në të njëjtën kohë ju njoftoj se vaksinat Pfizer-Biontech BNT162b2 janë caktuar për këtë periodë, nën kornizën e fabrikës COVAX”, thuhet aty.

Në email thuhet se periudha e pritjes në mes porosisë dhe dorëzimit që mbërrin në vend mund të jenë deri në 8 javë.

Menjëherë pas kësaj, Zemaj ia nisi të njëjtën e-mail ministrit aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai i tha Vitisë që të vazhdojë komunikimin me partnerët në sigurimin e pjesës tjetër të vaksinave nga Covax.

Ndryshe, në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga program i njëjtë./IndeksOnline/