Baraliu: “Mish- mash”, as Qeveria e Kosovës e as Beogradi nuk dëshirojnë të mbahen zgjedhjet në veri

Ish-Kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, është shprehur skeptik se do të ketë peticion për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës.

Kjo për shkak, sipas tij, të qëllimeve politike që i kanë Kosova e Serbia.

Baraliu thotë se Vuçiqi nuk dëshiron të mbahen zgjedhjet në Veri, pasi që obligohet t’i zbatoj marrëveshjet.

“Aty kemi konfrontime të politikave dhe të qëllimeve. E para është ajo e quajtura shoqëri civile, e cila është në fakt e dirigjuar nga Beogradi, bashkë me listën serbe, dhe ata të shoqërisë civile. E dyta është që Beogradi nuk dëshiron realisht të ketë zgjedhje dhe nuk dëshiron që të ketë kthim në institucione sepse mandej duhet me i kry obligimet për të dyja marrëveshjet, Vuciqi me partinë e tij me zbatu dhe nuk dëshiron me zbatu, edhe për Asociacionin përsëri nuk dëshiron”, ka thënë ai.

Përveç Beogradit, për Baraliun këto zgjedhje nuk dëshirojnë të mbahen as nga Qeveria.

Sipas tij, këta të fundit nuk janë të interesuar të harmonizohen.

“Është tjetër front i Qeverisë që nuk është e interesuar për zgjedhje atje, është i interesuar që këta njerëz të jenë deri në zgjedhjet lokale kur do të mbahen në vitin e ardhshëm. Dhe është gjithsesi popullata, dikush është i politizuar shumë dhe nuk dëshiron të nënshkruajë që të ketë koordinim, ka kundërshtime të grupeve të ndryshme të interesit, grupeve të ndryshme politike pas ngjarjes së 24 shtator, tani aty janë krijuar iniciativa politike, iniciativa qytetare, është një mish-mash që nuk po munden të harmonizohen, dhe nuk ka të interesuar të harmonizohen, aq më tepër kur Qeveria po e sheh që nuk ia heqin sanksionet”, ka thënë ai për Front Online.

Kryetarët shqiptarë janë vendosur në objektet komunale në veri në fund të majit të vitit të kaluar, hap që ka nxitur protesta të serbëve lokalë.

Ata i kanë fituar zgjedhjet e mbajtura në prill, të cilat janë bojkotuar nga serbët atje.