Baraliu: Shkuarja në zgjedhje pa reformë zgjedhore lë pasoja

E diela e fundit e muajit shtator dhe e diela e parë e muajit tetor janë datat më të përafërta kur pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend. Analistë e ish-deputetë thonë se zgjedhjet duhet të caktohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese në vend Mazllum Baraliu ka thënë për “Zërin” se pas shpërndarjes së Kuvendit më së largu brenda 45 ditëve duhet të mbahen zgjedhjet. Ai ka thënë se KQZ-ja dhe partitë politike duhet të jetë e gatshme për zgjedhje.

“Së pari presidenti duhet ta dekretojë shpërndarjen e Parlamentit e pastaj t’i shpallë zgjedhjet. Zgjedhjet thuhet në Kushtetutë se më së largu brenda 45 ditëve duhet të mbahen. Por se a janë të përgatitura subjektet politike dhe institucionet e vendit, kjo është çështje që ata e kanë ditur qe një kohë të gjatë, pra që koalicioni në fuqi nuk ka qenë funksional as në Qeveri e as në Parlament dhe se është dashur të përgatiten”, ka thënë ai.

Derisa vendi po përgatitet për zgjedhje, Baraliu ka thënë se do të ketë defekte në procesin zgjedhore, për shkak të mungesës së një reforme zgjedhore.

“Ne kemi edhe probleme gjatë procesit elektoral dhe kemi paqartësi e zvarritje në formimin e qeverive. Është dashur reforma, por s’ka pasur vullnet politik nga klasa politike. Mungesa e reformës është një defekt serioz, që mund të ketë pasoja në rrjedhjen e procesit elektoral”, ka theksuar ai.