Barcelona i jep “shkollë” Real Madridit, triumfon thellë në “Santiago Bernabeu”

Barcelona e ka fituar El Classicon e parë pas shtatë ndeshjeve kundër Real Madridit në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

“Katalunasit” triumfuan thellë 0:4 ndaj “mbretërve”, madje më lehtë se që e kishin menduar.

Serinë e golave e hapi sulmuesi, Pierre-Emerick Aubameyang që tundi rrjetën në minutën e 29-të të takimit.

Nëntë minuta më vonë në skenë doli mbrojtësi, Ronald Araujo që shënoi me kokë pas harkimit nga këndi nga Dembele.

Pjesën e dytë e nisën sërish më mirë mysafirët që shënuan golin e tretë në minutën e 47-të. Autor ishte spanjolli, Ferran Torres.

“Goditjen” e fundit Los Blancos ia dha sërish Aubameyang në minutën e 53-të të takimit me një gol të bukur.

Real Madridi në pjesën e parë kishte disa raste, duke e theksuar atë të Viniciues Junior që dështoi përballë me porterin Ter Stegen, megjithatë ajo ishte e tëra çka pam nga 13 herë kampionët e Evropës.

Barcelona pas kësaj fitoreje ka 54 pikë në vendin e tretë, ndërsa Real Madridi mbetet lider me 66 pikë.