Basha e quajti kryeministër të kontrabanduar, Hoti thotë se Qeveria Kurti s’e meriton mandatin

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit ku po diskutohet për Marrëveshjet ndërkombëtare, ka pasur përplasje mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Basha ka thënë se LVV-ja i ka mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare edhe në kohën kur LDK-ja me mocion e ka rrëzuar Qeverinë Kurti. Ai ish-kryeministrin Hoti, e ka quajtur “kryeministër të kontrabanduar”.

“Marrëveshjet ndërkombëtare LVV i ka mbështetë edhe në kohën kur LDK-ja e pati sjellë mocionin dhe e pati rrëzuar Qeverinë. Ne prapë në opozitë i kemi votuar ato marrëveshje ndërkombëtare. Edhe pse na patën rrëzuar padrejtësisht ne prapë i patëm votuar. Është me rëndësi të dihet se të njëjtën marrëveshje ky Kuvend e ka miratuar në kohën më të vështirë kurse sot i njëjti deputet atëherë kryeministër i kontrabanduar del jep arsye që nuk qëndrojnë”, ka theksuar Basha.

Ndërsa deputeti Hoti i është kundërpërgjigjur duke thënë se deputeti Basha duhet të jetë i sinqertë me veten.

“Atë Qeveri e kanë rrëzuar votat e deputetëve. Ajo Qeveri nuk e ka merituar mandatin, nuk e meriton as kjo. Deputeti duhet ta dijë që subjekti i tij nuk e ka votuar Marrëveshjen e stabilizim asociimit, por ka harruar se s’ia ka idenë se i ka ndërruar disa parti derisa ka ardhë këtu. Pyeteni Qeverinë tuaj çfarë qeverie është ajo që nuk mund t’i paguajë pensionet. Të mjerë keni qenë dhe të mjerë jeni”, ka theksuar Hoti.

Duke iu kundërpërgjigjur Basha ka thënë se me rëndësi për të është që Hoti nuk e mohoi që LVV-ja e ka votuar atë marrëveshje.

“Për ndërrimin e partive të mia unë skam qenë asnjëherë në ndonjë parti tjetër. A zoti Hoti doli që kishte qenë anëtar i partisë së re a sot shitet rugovist. S’kishit qenë as ti as Isa Mustafa”, ka theksuar Basha.