Qeveria mban mbledhje, ky është vendimi që e mori

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 75-të me radhë në mënyrë virtuale, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim te thëngjillit për nevoja të prodhimit të energjisë elektrike.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga zyra e Kryeministrit, përcjell Demokracia.com.

“Bazuar në Ligjin për shpronësimin e pronës së paluajtshme, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas plotësimit në tërësi të procedurave ligjore dhe në përputhje me urgjencën, ka propozuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se pronat që preken nga ky vendim janë në zonat kadastrale të Hades, Shipitullës, Palajt, Leshkoshiqit dhe Sibovcit në Komunën e Obiliqit.