Basha reagon ashpër kundër Nishanit: Me shpifje të ulëta kërkon të përçajë PD-në

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar ashpër ndaj një deklaratë te kreut të Këshillit Kombëtar të kësaj partie Bujar Nishani. Ky i fundit tha në një intervistë më herët se kishte “kuptuar se Basha ka qenë në dijeni të informacionit se Berisha do të shpallej “non grata” nga SHBA dhe jo pa qëllim afroi në mënyrë të papritur datën e zgjedhjeve brenda partisë”.

Ky qëndrim i Nishanit hidhet poshtë nga Basha.

“E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim me të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit.

Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj” – shkruan Basha.

LAPSI.al