Bashës i shkruan edhe njëherë shoku i klasës: I dashur Dimal, shumë shpejt do të të bie maska

Shoku i klasës së deputetit Dimal Basha, Gafur Abdullahu, i cili doli publikisht para disa ditëve duke thënë se Basha në shkollë mendonte se alfabeti i gjuhës shqipe i ka 27 shkronja, mori një përgjigje të ashpër e me ofendime nga deputeti.

Sot, ai, i ka dedikuar edhe një shkrim Bashës, ku ka thënë se ofendimet e tij, pas ofendimeve të bëra ndaj mësimdhënësve, nuk i duken tragjike.

“I dashur “shoku im” Dimal, pavarësisht bindjes time që vazhdoj ta kem për ty, kam besuar shumë që nga petku i Deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk do të biesh në këtë nivel për të më ofenduar deri në këtë shkallë, publikisht e paturpësisht. Por, duke parë ofendimet tuaja edhe ndaj mësimdhënësve, nuk po më duket më tragjike”, ka shkruar ai.

Abdullahi ka thënë se ai nuk ka mundur ta përfundojë fakultetin juridik për shkak të kushteve, duke shtuar se është detyruar të bëjë edhe punën e rojtarit për të mbajtur familjen. Ai ka thënë se nuk kishte qëllim ta sulmojë publikisht, porse reagimi i tij kishte ardhur pas komenteve të deputetit për mësimdhënësit grevistë.

Në fund, Abdullahu akuzon Bashën se është ngritur duke shpifur, duke shprehur bindjen se së shpejti do t’i bie maska.

“Unë Dimal, nuk kam mundur të përfundoj fakultetin juridik në saje të kushteve, nuk kam mundur të përfundoj studimet sepse jam rritur pa njerin prind, ndërsa nga mosha e hershme më ka rënë barra e organizimit familjarë. Po, unë jam detyruar të punoj edhe “roje”, por me këtë pagë të “rojes” unë mbaj familjen. Dinjëtetshëm mbaj fëmijët në Kosovë, përderisa fëmijët tuaj rriten në perëndim. Unë nuk të kam ofenduar aspak. Atë që unë e thash, ti tashmë e kishe thënë në një postim të vitit 2019, ku konfirmon se të dijsh alfabetin nuk është e nevojshme, këtë e ke thënë edhe si nxënës. Ti sigurisht më ke “harruar” sepse jam vetëm një “roje”, ndërsa unë të mbaj mend sepse ti je “deputet”. Qëllimi im nuk ishte të sulmoj publikisht, por kur ti more guximin të quash mësimdhënësit “analfabet”, kjo ishte e tepërt. Kur ti je kuadro deficitar, nuk e kuptoj si more këtë guxim. Në gjithë botën ka kolegje, ku mjafton të kesh para sepse diplomen e ke në xhep. Ti u ngrite duke shpifur, ndërsa shumë shpejtë do të bjen maska. Populli thotë “më mirë i varfër e fisnik, sesa i pasur e zemërlig”, ka shkruar Abdullahu.