Bashkëpunëtorja e Agron Kuçit po intervistohet në Krimet e Rënda, ndalohet në aeroport me material zgjedhor

Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është kapur në flagrancë zyrtarja e Komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kyetar të kësaj komune, Agron Kuçit.

E njëjta dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor.

Ajo ishte nisur për në Gjermani me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në Komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora.

Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për Kryetar të Komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të leternjoftimave, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.

Në llaptopin e saj dhe telefonin e saj dyshohet se ka një numër të madh të dokumentacionit.

Ajo ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuqit.

Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgoj në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Momentalisht e arrestuara vazhdon të intervistohet si e dyshuar për këtë rast në Drejtorinë e Krimeve të Rënda.