Bashkimi Evropian e mbështet projektligjin për Financimin e Partive Politike në Kosovë

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në një diskutim të hapur për Projektligjin për Financimin e Partive Politike, është shprehur se e përkrahin këtë projektligj.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Szunyog, tha se ndryshimet në draftligj janë të rëndësishme dhe kanë për qëllim identifikimin e të metave që javë shfaqur deri tani.

Sipas tij legjislacioni i rishkruar do të ndihmojë në avancimin për luftimin e korrupsionit.

“Është e rëndësishme të garantohet një proces demokratik. BE-ja është e gatshme të përkrahë institucionet e Kosovës për gjërat që do të dalin nga ky projektligj”, ka thënë Szunyog.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Maria Suokko, tha se korrupsioni u jep rrugë jo të duhur financave andaj edhe e përkrahin këtë projektligj.

“Korrupsioni i jep rrugë jo të duhur financave, dhe ndikon ndaj të varfërve dhe ndaj shërbimeve publike, edukimit, shëndetësisë dhe kjo është mjaft sfiduese. Andaj kjo është pikërisht pse jemi përkrahës ndaj këtyre ndryshimeve të ligjit për partitë politike. Të zgjedhurit politikë duhet të tregojnë se si mbledhin para e si shpenzojnë ato”, ka thënë ajo.

“ Jemi të gatshëm për të implementuar këto forma të reja”, shtoi ajo.