BDI: Manipulimeve u ka ardhur fundi, nesër do të shohim kush është për Rusi, e kush për Europë!

Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se seanca e nesërme për ndryshimet kushtetuese do të jetë përcaktuese për të ardhmen europiane të vendit tonë, thuhet në kumtesën e integristëve.

“Rrjedhimisht, BDI apelon tek të gjithë deputetët që të reflektojnë mbi rëndësinë e detyrës së tyre historike që vendi të ecë përpara sepse ndryshimet kushtetuese janë hap vendimtar për vazhdimin e negociatave tona integruese europiane.
Manipulimeve të opinionit nga forca të ndryshme destruktive ju ka ardhur fundi pasiqë Bashkimi Demokratik për Integrim si parti serioze me orientim pro-amerikano-europian ju vendosi në dispozicion të gjitha opcionet e mundshme, vetëm që mos të bllokohet procesi eurointegrues i vendit.

Bashkimi Demokratik për Integrim edhe njëherë bën thirrje deri tek partitë politike parlamentare dhe vetë deputetët të lënë anësh inatet personale dhe interesat partiake, të mos tentojnë të bllokojnë por të vendosin si prioritet të ardhmen europiane të qytetarëve..
Republika e Maqedonisë së Veriut e ka vendin në familjen e madhe europiane.

Nesër do të shohim kush është për integrim e kush për izolim, kush për Europë, e kush për Rusi, kush për ardhmëri e kush për vend-numëro!”, thuhet në kumtesë.