BE i reagon Osmanit për shkarkimin e Valdete Dakës: Të ruhet pavarësia e KQZ’së

Shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Thomas Szunyog nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me shkarkimin e kryetarës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka duke thënë se ligjet e Kosovës duhet të respektohen.

Ai tha se është e rëndësishme që procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe të ruhet pavarësia e KQZ’së.

Szunyog tha se duhet të sigurohet një përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe reformat në ligjin për zgjedhje.

“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, ka shkruar Szunyog.

Gjatë ditës së djeshme. presidentja Vjosa Osmani ka shkarkuar nga pozita e kryetares së KQZ’së Valdete Dakën, vendim ky që ka ngjallur reagime të mëdha në opinion pasi vendimi po konsiderohet politik dhe jo-ligjor.