BE jep lajmin e shumëpritur për liberalizimin e vizave

Kosova nuk është në agjendën e Këshillit Europian sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, por këtë gjë e pret të ndodhë vitin tjetër edhe Shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Ajo thotë se nuk ka ndonjë afat se kur mund të përfundojë ky proces, derisa shton se është e rëndësishme që vendi të vazhdojë luftën për sundimin e ligjit, politikat e migracionit dhe sigurisë, në mënyrë që të marrë një përgjigje pozitive.

Në një prononcim për Gazetën Metro Shefja e Zyrës së BE’së, Nataliya Apostolova, ka thënë se pavarësisht plotësimit të të gjitha kushteve për liberalizim të vizave, ky proces për Kosovën po përmbushet në vazhdimësi.

“Komisioni Europian ka konfirmur në korrik të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, të vendosura nga Këshilli. Mirëpo ky është një proces dhe vendim që merret në vazhdimësi”, thuhet në përgjigjen e saj.

Tutje, Apostolova ka theksuar se tashmë i takon të gjitha vendeve anëtare të BE’së, të cilat përfaqësohen në Këshill, që së bashku me Parlamentin Europian të marrin vendimin final për heqjen e vizave për Kosovën.

“Vendet anëtare të BE’së të cilat janë edhe në Këshill duhet që së bashku me Parlamentin Europian të marrin vendimin përfundimtar. Nuk ka ndonjë afat për liberalizimin e vizave, por Kosova duhet të përfshihet në agjendën e Këshillit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE’së.

Në fund, është bërë thirrje që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për sundimin e ligjit, politikat migracionit dhe sigurisë, në mënyrë që të marrë një përgjigje më pozitive nga vendet e Bashkimit Europian.

Kujtojmë se kosovarët tashmë 10 vite janë në pritje që të lëvizin lirshëm në vendet e Zonës Shengen, sidoqoftë, Qeveritë e njëpasnjëshme të kësaj dekade dështuan t’i bindin plotësisht vendet e BE’së se i kanë plotësuar të gjitha kriteret.

Pavarësisht këtyre dështimeve, liderët e vendit vazhdimisht premtuan se vizat do të heqen, për periudha të caktuara, por kjo edhe siç dihet nuk ndodhi.

Madje, ka qenë Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ai i cili disa herë gjatë vitit 2019 premtoi qytetarët e Kosovës se do të lëvizin lirshëm, ndërsa, njëjtë bëri edhe rreth disa ditë më parë, kur tha se në fund të shkurtit, ose fillim të marsit, ky proces do të përfundojë.