BE kërkesë Kosovës për Asociacionin: Kushtetuesja s’ka thënë që nuk mund themelohet

Bashkimi Evropian po kërkon që Kosova t’iu qëndrojë karshi zotimeve të bëra në kuadër të Marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar në Bruksel.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, për Gazetën Express ka thënë se presin që Kosova të implementojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe meqë është zotim që është marrë në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit.

“Kosova ka hyrë në një marrëveshje për të themeluar Asociacionin e Komunave Serbe. Kjo marrëveshje ishte arritur në mirëbesim mes të gjithë palëve të inkuadruara. Marrëveshja asnjëherë s’është shfuqizuar”, ka thënë zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.

Zëdhënësi i BE’së ka rikujtuar se Kosova marrëveshjen e Bruskelit të vitit 2013 e kishte ratifikuar edhe në Kuvend me 2/3 dhe thotë se ky është një obligim që Prishtina zyrtare e ka marrë mbi supe për ta çuar përpara.

“Në fakt Marrëveshja e vitit 2013 ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e shumicës. Duke e bërë një gjë të tillë, Kosova ka marrë mbi vete një obligim ndërkombëtar për të implementuar këtë marrëveshje”, ka shtuar Stano.

Gazeta e ka pyetur Stanon nëse është e pranueshme për BE’në që Kosova të implementojë Asociacionin vetëm në pajtim me Kushtetutën pa pjesët që është gjetur se përbëjnë shkelje, apo nëse Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën për të implementuar modelin e Asociacionit siç është në Marrëveshjen e vitit 2013.

Stano në përgjigjen e tij ka thënë se vendimi i Kushtetueses për Asociacionin në vazhdimësi është keqinterpretuar, derisa ka potencuar se në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese asnjëherë s’ka konstatuar që Asociacioni s’mund të themelohet.

“Vendimi i vitit 2015 i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asocaicionin në vazhdimësi është keqinterpretuar. Gjykata asnjëherë s’ka thënë që Asociacioni nuk mund të themelohet”, ka theksuar zëdhënësi i BE’së.

Ai në fund ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Kosova të respektojë obligimet që ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të udhëhequr nga Brukseli.

“Ne presim që Kosova të respektojë obligimet që ka marrë në procesin e Dialogut”, ka përfunduar Peter Stano.

Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice serbe e ka kërkuar edhe emisari sllovak, Miroslav Lajcak. Në një intervistë për televizionin N1 ai ka thënë se Asociaiconi duhet të implementohet ashtu siç palët janë dakorduar.

Megjithatë shkeljet e gjetura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë bërë që të mos procedohet përpara me implementimin e një marrëveshje të tillë. Derisa tashmë në pushtet pritet që të vijë Lëvizja Vetëvendosje, e cila në vazhdimësi ka qenë kategorike kundër themelimit të Asociacionit.