BE: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, përndryshe do të ketë pasoja

Në samitin në Bruksel, liderët e BE-së do t’i bëjnë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të qetësojnë tensionet, të mbajnë zgjedhje, të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe të formojnë Asociacionin.

Udhëheqësit paralajmërojnë se mungesa e de-përshkallëzimit “do të ketë pasoja” dhe se të dyja palët rrezikojnë të humbasin “mundësi të rëndësishme në rrugën drejt BE” nëse nuk zbatojnë marrëveshjet e arritura pa kushte dhe vonesa.

Në tekstin e konkluzioneve, të cilat mund të plotësohen deri të enjten, thuhet se liderët e BE-së janë thellësisht të shqetësuar për situatën e sigurisë në Veri të Kosovës.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme”, thuhet më tej në tekstin e draftit të Këshillit Europian.

Udhëheqësit e BE-së kërkojnë nga Prishtina dhe Beogradi “punë të përhershme” për de-përshkallëzimin, veçanërisht për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës “sa më shpejt të jetë e mundur”, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës. Theksohet se mungesa e angazhimit në qetësimin e tensioneve “do të ketë pasoja”. Në draft-konkluzionet, liderët e BE-së shprehin keqardhjen që të dyja palët nuk kanë zbatuar Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit. “I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë Marrëveshjen dhe aneksin pa vonesë dhe parakushte, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe rrezikojnë të dyja humbjen e mundësive të rëndësishme nëse nuk ka përparim”, thuhet në draft konkluzionet që liderët e BE-së duhet të miratojnë në një samit dy-ditor më 26 dhe 27 tetor në Bruksel.