Begaj takim me Lajçak: Shqipëria e vendosur të luajë rolin e saj për rikthimin në tryezën e dialogut

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë qëndrimit në New York, në Javën e Debatit të Përgjithshëm të Sesionit 78-të të Asamblesë së Pērgjithshme të Kombeve të Përgjithshme u takua edhe me të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidenti e siguroi Lajçakun se Shqipëria mbetet e vendosur të vijojë të luajë rolin e saj për de-eskalimin e situatës së tensionuar midis dy vendeve dhe rikthimin në tryezën e dialogut.

Ndryshe, rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.

Kurti tha se në Bruksel propozoi një plan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.