Bëhen bashkë Glauk Konjufca e Visar Ymeri, kjo është arsyeja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca sot është takuar me ish-kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Ata kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.

Lajmin e ka bërë të ditur Visar Ymeri përmes një postimi në Facebook.

“Sot, në emër të Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari nënshkrova memorandumin e bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës, që përcakton modalitetet e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të komunikimit të ndërsjellë për çështjet që lidhen me monitorimin e politikave sociale në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”, ka shkruar ai.

Ymeri ka thënë se me këtë memorandum Kuvendi do t’i ofrojë qasje Institutit Musine Kokalari në të dhëna publike sipas legjislacionit në fuqi për monitorimin e politikave sociale.

“Ndërsa ne si Institut për Politika Sociale Musine Kokalari do të ofrojmë rekomandime, asistencë dhe ekspertizë për komisionet relevante të Kuvendit që lidhen me politikat sociale. E falënderoj kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, për gatishmërinë për bashkëpunim, në funksion të zhvillimit të politikave sociale dhe të interesit të përgjithshëm.”, ka shkruar Ymeri.

Kujtojmë që Visar Ymeri ishte larguar nga LVV. Në Kohën kur Ymeri ishte kryetar i LVV-së, Glauk Konjufca ishte zëvendës i tij.